Zakonet e Vitit të Ri ndryshojnë në mbarë botën, nga një vend në tjetrin dhe nga një kontinent në tjetrin.
Disa nga mënyrat për të tërhequr fatin e mirë në Vitin e Ri përfshijnë ngrënien e rrushit, thyerjen e pjatave, krijimin e zhurmës për të “larguar shpirtrat e këqij”, apo edhe maskimin si arushë.
Pjata të thyera në pragun e shtëpisë
Në Danimarkë, nëse zgjohesh në ditën e parë të Vitit të Ri dhe gjen një grumbull pjatash të thyera në pragun e shtëpisë, sipas zakoneve vendase konsiderohesh shumë me fat. Siç shkruan Sky News, atje është traditë që pjatat të hidhen te dera e miqve dhe fqinjëve, si shenjë urimi për fat të mirë.
Në Spanjë, fundi i vitit festohet duke ngrënë rrush me çdo rrahje të orës në mesnatë, gjithsej 12 kokrra rrushi. Ideja është që çdo kokërr sjell fat për një muaj të vitit dhe besohet se ky zakon ndihmon edhe në gjetjen e shpirtit binjak në Vitin e Ri.
Zakon që daton nga koha e vikingëve
Në Skoci besohet se personi i parë që hyn në shtëpi pas ndërrimit të viteve përcakton fatin e familjes për vitin që vjen. Sipas traditës, shtëpia konsiderohet me fat nëse i pari që kalon pragun është një burrë me flokë të errët. Mendohet se kjo ide vjen nga koha e pushtimeve vikinge, kur një burrë biond në derë nënkuptonte rrezik.
Në Itali, është traditë të hahet thjerrëza gjatë festimeve të Vitit të Ri, pasi besohet se sjell fat dhe begati, sa më shumë thjerrëza të konsumosh, aq më shumë fat do të kesh.
Zilet që jehojnë në Japoni
Në Rumani, disa njerëz vishen si arinj për të sjellë fat të mirë në Vitin e Ri. Ky zakon daton që para krishterimit, kur besohej se kafshët e egra mbronin njerëzit nga fatkeqësitë dhe rreziqet.
Në Japoni, sipas traditës, këmbanat e tempujve bien gjithsej 108 herë, një ritual që simbolizon pastrimin nga dëshirat dhe mëkatet njerëzore.
Viti i Ri festohet më 31 dhjetor dhe duhen rreth 26 orë që të gjitha vendet e botës ta presin ndërrimin e viteve.





