Me mbylljen e vitit 2025, institucionet bëjnë edhe bilancet përfundimtare. Sa i përket vizitorëve në vend, është thyer rekordi i një viti më parë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë me dije se është kapërcyer shifra e 12 milionë vizitorëve me pasaportë të huaj.
“Një rezultat që konfirmon konsolidimin e vendit si një destinacion turistik gjithëvjetor, me interes të qëndrueshëm përtej sezonit veror dhe me oferta të larmishme në turizëm kulturor, natyror, kulinar, sportiv dhe jo vetëm, duke forcuar pozicionin e saj në hartën ndërkombëtare të turizmit”, tha ministri Gonxhja.
Shqipëria po vijon të konsolidohet si një nga destinacionet më të preferuara turistike në rajon, falë një rritjeje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve të huaj gjatë viteve të fundit.
Ky trend, i cili u bë veçanërisht i dukshëm pas vitit 2022, ka vazhduar të forcohet edhe më tej, duke reflektuar interesin në rritje për bregdetin shqiptar.
Vetëm në vitin 2024 mbi 11 milionë turistë vizituan Shqipërinë, një tregues i qartë i potencialit turistik që po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë. Me bilancin e nxjerrë nga Gonxhja do të thotë se në 2025-ën ka një rritje me mbi 1 milion vizitorë me pasaportë të huaj.





