Ka nisur kalimi i parave të granteve të dëmshpërblimit për qytetarët në Durrës, banesat e të cilëve kanë dëme DS1 dhe DS2.
Më 6 korrik, Bashkia e Durrësit njoftoi përmes një postimi në Facebook për nënshkrimin e kontratave mes këtij institucioni dhe qytetarëve përfitues të grantit për rikonstruksion DS1-DS2-DS3.
Por pavarësisht këtij njoftimi, aktualisht firmosen kontratat vetëm me personat, dëmet në banesat e të cilëve janë klasifikuar DS1 dhe DS2.
Kjo për shkak se shumë ndërtesa DS3, Instituti i Ndërtimit i ka klasifikuar DS4 dhe në momentin që ky institucion kalon shkallën e dëmtimit nuk mund të kalohen paratë për qytetarët.
Procesi i firmosjes së kontratave mes bashkisë dhe qytetarëve me dëme DS3 do të fillojë pas përgjigjeve përfundimtare të Institutit të Ndërtimit.
Rikujtojmë që të gjithë qytetarët duhet të paraqesin këto dy dokumenta: fotokopje e IBAN(numri i llogarisë bankare) dhe fotokopje e kartës së identitetit.
Një ditë më parë, qeveria me anë të një VKM-je akordoi 4 miliardë e 852 milionë e 410 mijë e 743 lekë nga Fondi i Rindërtimit për të financuar banesat apo pallatet të cilat nga tërmeti i 26 nëntorit u dëmtuan rëndë apo lehtë, por që nuk duan rindërtim.
Nga ku, bashkia e Durrësit do të marrë pjesën më të madhe të këtij financimi, 3 miliardë e 220 milionë e 790 mijë e 743 lekë.





