Një ditë pas situatës kaotike që përfshiu Durrësin ku u paralizua i gjithë qyteti për shkak të përmbytjeve, ditën e sotme ka rinisur procesi mësimor. Burime nga ZVA Durrës, bëjnë me dije se shkollat janë të gjitha funksionale, pasi ditën e martë më 6 janar u pezullua procesi mësimor në gjitha institucionet arsimore publike e jo publike në Durrës.

Ndërsa sot, sa i përket situatës me çerdhet e kopshtet publike, burime nga bashkia e Durrësit bëjnë me dije se 6 çerdhet e qytetit janë funksionale, ndërsa tre nga kopshtet, konkretisht “Sotir Noka”, dhe kopshtet pranë shkollave “Qemal Mici” dhe “14 Nëntori”, ditën e djeshme kanë pasur prezencë uji, dhe sot po punohet për pastrimin dhe dezinfektimin e tyre që të jenë në funksion të plotë për ditën e nesërme.

Ajo që vihet re është ulja e ndjeshme e numrit të fëmijëve që janë paraqitur këtë të mërkurë nëpër kopshte, për shkak se edhe ditën e sotme priten reshje shiu.