Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rrit borxhin publik për të mbushur xhepat e tij dhe të oligarkëve.

Basha shkruan në Facebook se rritja stratosferike e borxhit në 80% të PBB është një goditje fatale për ekonominë duke bërë përgjegjës kreun e qeverisë.

POSTIMI I PLOTË

RAMAVIRUSI po e gërryen nga brenda ekonominë tonë. Me rritjen stratosferike të Borxhit Publik në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rama po i jep ekonomisë një goditje fatale.

Ky borxh që rëndon mbi qytetarët po përdoret jo për ti ndihmuar ata në këto ditë të vështira, por për të mbushur xhepat e Ramës dhe oligarkëve në shërbim të tij. Për shkak të RAMAVIRUSIT, sot gjysma e shqiptarëve janë pa punë dhe mbijeton në kufirin e varfërisë.

Por shqiptarët kanë mundësi të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që jua lehtëson barrën e taksave dhe që rrit punësimin dhe investimet.

Shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze e cila nuk do ti lërë më në mëshirën e fatit, por do tju bëhet krah në ditët e tyre më të vështira. Ne për këtë po punojmë sepse ditë më të mira do të vijnë për të gjithë ne.