Të besuarit e trajnerit Enkeleid Dobi i kanë idetë e qarta, duke pasur synime në të dy kompeticionet. Gjatë kësaj periudhe merkatoje, Teuta ka kryer disa largime nga skuadra. I vetmi transferim i realizuar ishte ai i Gomes, i cili u shit drejt kampionatit japonez. Futbollistët e tjerë që janë larguar nuk ishin më pjesë e planeve të stafit drejtues dhe teknik, pasi nuk përmbushnin pritshmëritë e vendosura në fillim të sezonit. Këto lëvizje kanë ardhur në kuadër të riorganizimit të skuadrës dhe ndërtimit të një grupi më konkurrues për fazën e dytë të kampionatit dhe Kupën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht për të përforcuar ekipin. Në ditët në vijim pritet që Teuta të zyrtarizojë afrime të reja, të cilat do të rrisin konkurrencën brenda grupit dhe do t’i ofrojnë trajnerit më shumë alternativa në repartet ku nevojiten përforcime. Teuta synon të jetë konkurruese si në Kupë ashtu edhe në kampionat, ndërsa përballja ndaj Vorës shihet si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivave sezonalë.