Lumi Seman doli nga shtrati mëngjesin e së dielës në fshatin Murriz të Lushnjes, duke krijuar një situatë të rënduar për banorët dhe qarkullimin rrugor.

Prurjet e shumta përmbytën disa segmente të rrugës Murriz–Kozare, ndërsa hyrja kryesore e fshatit u bllokua pasi niveli i ujit arriti mbi 30 centimetra. Banorët qëndruan jashtë gjithë natës nga frika e vërshimit.

Toka bujqësore janë nën ujë dhe disa banesa brenda argjinaturës rrezikojnë të përmbyten.

Autoritetet thonë se situata është shkaktuar edhe nga hapja e kaskadës së Devollit dhe shkarkimet e HEC-eve të Banjës dhe Moglicës.

Përmbytje janë regjistruar edhe në Mbrostar Ura, ku stalla bagëtish dhe një pulari janë zhytur nën ujë.

Ndërkohë, në Ferras ka nisur procesi i verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Nënkryetari i Bashkisë Fier, Nusret Avdullai, tha se evidentimi kërkon kohë dhe bashkëpunim me banorët.

Në zonën e prekur nga Semani ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili garantoi ndihmë të menjëhershme dhe transferimin e bagëtive në ambiente të sigurta, përfshirë tregun e gjësë së gjallë në Fier.

Në Murriz mbërriti gjithashtu kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili deklaroi se prurjet ishin të paparashikueshme dhe të pamundura për t’u ndalur.

Prurjet e Semanit pritet të rriten pas mesditës, ndaj strukturat e emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare deri në stabilizimin e situatës.