Avokati Maks Haxhiaj ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të klientit të tij, Ergys Agasit, në tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas tij, akuzat ndaj Agasit janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë provë konkrete.

Haxhiaj e cilësoi hetimin si absurd, duke theksuar se Agasi nuk ka pasur asnjë funksion publik apo pushtet vendimmarrës që mund ta lidhë me shkelje të barazisë në tendera apo me pengimin e pjesëmarrjes së subjekteve të tjera.

“Po flitet për vepra penale që i atribuohen një personi pa asnjë rol institucional. Ergys Agasi nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje me tenderat e AKSHI. Ai ka përfunduar angazhimet e tij dhe nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore në këtë proces”, u shpreh avokati.

“Në momentin që nuk ekziston asnjë provë materiale për akuzat e ngritura, vetëm dikush që nuk i vlerëson pasojat do të paraqitej. Aktualisht nuk kam komunikim të drejtpërdrejtë me Agasin, por vetëm me familjarët e tij”, përfundoi ai.