Shkenca nuk po ndalet, tashmë inteligjenca artificiale mund të parashikojë rrezikun që I kanoset një personi nga më shumë se 100 sëmundje vetëm duke analizuar gjumin e një nate.
Janë studiuesit e Universitetit të Stanford të cilët kanë krijuar modelin e ri, që quhet SleepFM, të cilit I kanë “mësuar gjuhën e gjumit” duke analizuar sinjale të shumta trupore gjatë natës, përfshirë aktivitetin e trurit, rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, lëvizjet e këmbëve dhe lëvizjet e syve. Qëllimi është të vlerësohet rreziku për zhvillimin e sëmundjeve serioze në të ardhmen.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Nature, inteligjenca artificiale u trajnua me më shumë se 580 mijë orë të dhëna gjumi, të mbledhura nga rreth 65 mijë pacientë në klinika gjumi, gjatë periudhës 1999–2024. Të dhënat u ndanë në segmente 5 sekondëshe, të cilat funksionuan si “fjalë” për modelin gjuhësor.
Rezultatet tregojnë se SleepFM parashikoi me të paktën 80 % saktësi rrezikun për sëmundje si Parkinsoni, Alzheimeri, demenca, sëmundjet e zemrës, infarkti, si dhe kanceri i prostatës dhe i gjirit. Modeli arriti gjithashtu të parashikojë me 84 % saktësi vdekshmërinë.
Në fazat e ardhshme, Stanford planifikon të shtojë edhe të dhëna nga pajisjet e veshshme, si orët inteligjente. Megjithatë, autorët theksojnë se studimi bazohet tek pacientë që tashmë kishin shqetësime shëndetësore, ndaj nevojiten kërkime të tjera për përdorim në popullatën e gjerë.





