Në Bullgari, kanë nisur ritualet e vallëzimeve të Karnavaleve Kukeri, të famshme për zonën.
Atje burrat vishen me kostume dhe maska dhe shkojnë nga fshati në fshat, duke kërcyer me zile për të larguar shpirtrat e këqij, për të përcjellë vitin e vjetër dhe për të shënuar fillimin e Pranverës.
Njëri prej organizatorëve, Kaycho Velichkov shpjegon se maskat ruhet me fanatizmin më të madh ashtu siç kanë qenë në kohët e vjetra, të trashëguara brezi pas brezi pa tjetërsim.
“Ajo që ne e njohim si Surva kryhet për të dëbuar shpirtrat e këqij, me qëllimin që gjithçka të jetë e pastër, që viti të jetë i qetë, pjellor dhe i suksesshëm, dhe që gjithçka të jetë ashtu siç duhet, normale”, u shpreh Kaycho Velichkov .
“Askush nuk e di se kur ka filluar Surva jonë. Mënyra se si vishemi, si maskohemi ne sot e mban gjallë traditën e të vjetërve. Ne nuk kemi personazhe të rinj; i ruajmë maskat ashtu siç kanë qenë dikur”, u shpreh Kaycho Velichkov.
“Unë udhëheq kërcimin; kemi valltarë të tjerë që mbajnë zilet. Ne hyjmë në çdo oborr, në çdo shtëpi dhe zhurma e zileve shërben për të dëbuar shpirtrat e këqij”, tha Hristo Grigorov .
Festivali Kukeri, i njohur ndryshe si Surva, është një traditë shumë e lashtë bullgare me rrënjë pagane, e lidhet me rite dimërore dhe ato të fillimit të pranverës.
Gjatë Perandorisë Osmane, tradita u ruajt nga komunitetet lokale si një shprehje e identitetit kulturor dhe vazhdoi të transmetohej brez pas brezi.
Burrat visheshin me maskë të frikshme, kostume prej lëkure dhe zile të rënda, duke kryer valle rituale dhe duke hyrë në oborre e shtëpi për të pastruar hapësirën nga e keqja.
Sot, Surva festohet çdo vit në muajin janar dhe është një nga festivalet më të njohura folklorike në Bullgari, i njohur edhe ndërkombëtarisht si pjesë e trashëgimisë kulturore shpirtërore, duke ruajtur forma, maska dhe role tradicionale të pandryshuara prej shekujsh.





