Sistemet arsimore në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, po përballen me largimin e mësuesve nga profesioni përpara moshës së pensionit. Sipas të dhënave të OECD, një numër i larte mësuesish kishin për qëllim braktisjen e mësimdhënies brenda pesë viteve të ardhshme, edhe pse nuk janë ende pranë daljes në pension.
“Janë të gatshëm të punojnë në punë që sjellin jo vetëm të ardhura dhe kanë edhe një pension më të lartë. Mundësia është për të gjetur alternativa brenda ose jashtë vendit, në krah pune që duhet të jetë i kualifikuar dhe ata atë kualifikim e kanë”, është shprehur Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit.
Në Shqipëri, Maltë, Marok, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Uzbekistan, përqindja e mësuesve meshkuj që planifikojnë të largohen nga profesioni është mbi 5 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me mësueset femra.
“Gjithmonë ka pasur më shumë mësuese. Çështja është që ata ndihen të përjashtuar nga arsimi, jo për shkak të profesionit, por për shkak të mënyrës sesi i trajtojnë”, ka theksuar më tej eksperti.
Sipas raportit, arsyet kryesore lidhen me kënaqësinë e ulët në punë, kushtet e vështira të mësimdhënies, mungesën e mundësive për zhvillim profesional dhe statusin shoqëror të dobët të profesionit të mësuesit.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo tendencë vijon, vendet e prekura mund të përballen me mungesë mësuesish, rritje të ngarkesës për stafin ekzistues dhe vështirësi serioze në garantimin e cilësisë së arsimit.





