Në seancën e sotme të dosjes “Plumbi i Artë”, Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda u njoftua zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për arratisjen e Altin Ndocit, një nga të akuzuarit kryesorë në këtë proces. Shkresa e Burgjeve u lexua gjatë procesit gjyqësor, duke sqaruar situatën aktuale të të arratisurit Ndoci.

Drejtoria e Burgjeve ka deklaruar se nuk mund të bëhet shoqërimi i Ndocit, pasi është arratisur. “Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Ai është shpallur në kërkim nga policia”. Ky njoftim vjen pasi Ndoci arriti të arratisej nga spitali, teksa po qëndronte nën mbikëqyrje.

SPAK ka kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë, duke shtuar se nuk ka asnjë ndryshim për pjesën tjetër të të akuzuarve. Avokati i Ndocit deklaroi në seancë se “GJKKO duhet t’i kërkojë policisë që të vijojë kërkimet, pasi Altin Ndoci mund të gjendet në banesë ose në një vend tjetër të fshehtë”, Pas debateve të forta mes palëve në gjykatë, GJKKO e ka shtyrë seancën për në 20 janar.

Arratisja e Altin Ndocit ka shkaktuar shqetësim të madh dhe ka rritur masat e sigurisë nga policia, e cila është vënë në kërkim të tij në të gjithë vendin. Policia ka thënë se disa nga operacionet për kapjen e të arratisurit po zhvillohen në terren dhe janë duke u koordinuar me strukturat e burgjeve dhe institucionet përkatëse.

Dosja “Plumbi i Artë” është ndër më të rëndësishmet që ka në dorë drejtësia shqiptare, ku Altin Ndoci akuzohet për krime të rënda, përfshirë vrasje, trafik droge dhe veprime të tjera kriminale. Në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, SPAK ka arrestuar dhe shpallur në kërkim emra të njohur të botës së krimit, të akuzuar për vepra të rënda kriminale.