Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka dhënë sot konkluzionet përfundimtare për Altin Hajrin, duke kërkuar burgim të përjetshëm për të.
Hajri akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar 2020.
Kujtojmë se Prenga u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz, si pjesë e një konflikti kriminal për 260 kg kokainë të humbur në Angli, ku dyshohet se ishte përfshirë vëllai i tij.
Ai u dërgua në “Golden Resort” në Shijak, ku mendohet se u vra dhe trupi i tij më pas u zhduk.
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi dhe Altin Hajri janë dy nga figurat kyçe të dyshuara për organizimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Prengës, ndërsa pamjet e sigurisë dhe komunikimet në aplikacione të enkriptuara janë pjesë e provave kyçe të prokurorisë.
Sa i takon ngjarjes, Festim Bexhdili (kopshtari i resortit) është dënuar me burg përjetë nga GJKKO. Ai është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës. Ende sot e kësaj dite ende nuk është gjetur trupi i tij.
Vlen të theksohet se Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati.





