Anmar Al Haili, president i klubit të Arabisë Saudite Al-Itihad, po vazhdon me obsesionin e tij për të nënshkruar me Lionel Mesin (në vitin 2023 ai i ofroi atij 400 milionë euro në vit). Zyrtari saudit e ka bërë të qartë edhe një herë se paratë nuk do të ishin pengesë për ta parë Mesin me fanellën verdhë e zi, dhe ai pretendon se Mesi mund të zgjidhte personalisht pagën e tij dhe kohëzgjatjen e kontratës: “Nëse Mesi pranon të nënshkruajë me Al Itihad, unë do t’i ofroja një kontratë ku ai mund të fitojë çfarëdo shume që të dojë, për aq kohë sa të dojë, madje edhe për gjithë jetën.”

Anmar Al Haili konfirmoi kontaktet e tij të mëparshme për të provuar të nënshkruante me argjentinasin, i cili pasi u largua nga PSG në vitin 2023 vendosi të vazhdonte karrierën e tij tek Inter Majemi: “Po, e kam kontaktuar më parë, kur kontrata e tij me PSG mbaroi. I ofrova 1.4 miliardë euro. Ai e refuzoi një ofertë kaq të madhe për hir të familjes së tij, sepse familja është më e rëndësishme se paratë. Unë e respektoj atë, dhe Al Itihad do t’ia hapë gjithmonë derën, ai mund të vijë kur të dëshirojë.” Gjithçka tregon se Al-Itihad dhe Liga Profesionale Saudite duhet të presin, pasi në tetor 2025 38-vjeçari rinovoi kontratën e tij me klubin e Floridës deri në dhjetor 2028.