Deputetja Eris Xhixho ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Rama për ndërtimin e një kampusi universitar në Durrës për studentët e Tiranës, që sipas saj, pranon në heshtje një të vërtetë të madhe: Tirana është bërë e pajetueshme, veçanërisht për studentët, për shkak të çmimeve të papërballueshme të qirave dhe kostos së jetesës.
“Është e paprecedent, që nga hapja e universitetit të parë në Shqipëri, që studentët e kryeqytetit të zhvendosen me vendim politik, jo për arsye akademike, por për të mbuluar dështimin e qeverisë në menaxhimin e qytetit dhe arsimit të lartë.
Në një kohë kur numri i studentëve është përgjysmuar krahasuar me dy dekada më parë, është e paqartë arsyeja reale e këtij vendimi dhe çfarë problemi konkret synon të zgjidhë. Kriza sot nuk është mungesa e hapësirave universitare, por braktisja e arsimit të lartë, emigrimi i të rinjve dhe mungesa e mbështetjes shtetërore për studentët dhe universitetet publike. Buxheti i arsimit është sot vetëm 2.3% e PBB-së, kur ishte premtuar arritja e mesatares europiane 5%.
Zgjidhja nuk është të dëbosh studentët nga Tirana, por të ndalësh shkatërrimin e saj nga spekulimi, betonizimi dhe politikat që e kanë kthyer strehimin dhe arsimin në luks. Studentët nuk duhet të paguajnë çmimin e një qyteti të keqmenaxhuar.
Në vend të propagandës për “kampuse” të reja, qeveria duhet të investojë në konvikte publike, të subvencionojë qiratë për studentët dhe të mbështesë universitetet ekzistuese me financim dhe kushte dinjitoze.”, shprehet Xhixho.
“Zhvendosja artificiale e studentëve nuk zgjidh krizën e çmimeve. Ajo thjesht fsheh dështimin e qeverisë.
Arsimi nuk ndërtohet me eksperimente politike. Studentët nuk janë numra për projekte elektorale, por e ardhmja e vendit.”, përfundon ajo.





