Teuta dhe Dinamo ndanë pikët në “Niko Dovana”, pasi sfida e parë e fazës së tretë u mbyll në barazim pa gola. Veç ndeshjes ku në fakt munguan rastet në fushë, në tribuna dhe jashtë fushës kishte momente interesante, duke nisur që nga pezullimi i Ismajlit, e deri te kartoni i kuq i Kotobellit pas përfundimit të ndeshjes.
– Ndeshja mes Teutës dhe Dinamos u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana”, në kushte perfekte si për fushën ashtu edhe për motin.
– Dejvi Bregu, Bruno Dita dhe Lorenco Vila u rikthyen në Durrës këtë herë si kundërshtarë, pasi në të kaluarën kanë veshur fanellën e Teutës. Statusin e “ish-it” e kishte gjithashtu edhe Ardit Toli, i cili më parë ka qenë pjesë e Dinamos.
– Afrimi më i fundit i Teutës, Qëndrim Ismajli, nuk ishte i gatshëm për këtë përballje, pasi gjatë periudhës që ka qenë pjesë e Tiranës ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
– Ndeshja u shoqërua me momente tensioni. Pas një ndërhyrjeje të ashpër, nga pankina e Dinamos u dëgjua trajneri Ilir Daja duke protestuar ashpër: “Është i kuq ai, more burrë!”.
– Nga ana tjetër, tifozët e Teutës ironizuan trajnerin Daja, duke e akuzuar për lojë të ashpër dhe me shumë shkelma.
– Pas ndëshkimit me karton të verdhë nga Xhaja, trajneri i Dinamos u dëgjua duke i thënë arbitrit: “Ik, more!”.
– Tensionet vijuan edhe pas përfundimit të ndeshjes, ku kapiteni i Teutës, Kotobelli, iu drejtua arbitrit Xhaja duke i thënë se po e mbante ai nga fanela lojtarin. Arbitri e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar me karton të kuq, një vendim i nxituar dhe i pakuptimtë.
– Gjatë një momenti në pjesën e parë, mesfushori i Teutës, Votlai, u detyrua të ndërronte takat, ndërkohë që loja vijonte.
– Me fanellën e Teutës debutuan edhe afrimet e reja: Daci, Fofana dhe Runi.





