Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj raportimeve në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

KOMF ka bërë thirrje të menjëhershme tek organet e rendit dhe drejtësisë për të ndërmarrë veprimet dhe masat e nevojshme, sipas ligjit, për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla që janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe të paligjshme.

Koalicioni ka theksuar se përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është jo vetëm mashtruese, por edhe e rrezikshme, pasi devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, të cilat përfshijnë mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë.


“Krijimi i pritshmërive joreale, shtimi i stigmatizimit dhe presionit mbi familjet e fëmijëve, si dhe keqkuptimi i nevojave të tyre, janë pasoja të drejtpërdrejta të promovimit të premtimeve mashtruese,” ka nënvizuar KOMF.

Koalicioni ka theksuar gjithashtu se vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm, duke bërë thirrje për informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në shërbime dhe kapacitete mbështetëse.

“Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë,” përfundon reagimi i KOMF.