Komisioni Evropian ditën e djeshme, më 20 janar, prezantoi një propozim të titulluar “Cybersecurity Act” që hap rrugën për ndalimin e kompanive teknologjike kineze si Huawei dhe ZTE nga infrastruktura kritike e BE-së.
Pa i përmendur drejtpërdrejt dy gjigantët, teksti parashikon eliminimin gradual të komponentëve dhe pajisjeve që vijnë nga furnitorë me rrezik të lartë në sektorë kritikë.
Propozimi përfshin 18 sektorë: përveç rrjeteve të telekomunikacionit, përfshihen pajisje zbulimi, automjete të lidhura dhe të automatizuara, sisteme furnizimi dhe magazinimi të energjisë elektrike, sisteme furnizimi me ujë, dronë dhe sisteme kundër-dronë, shërbime të cloud computing, pajisje mjekësore, pajisje survejimi, shërbime hapësinore dhe gjysmëpërçues.
Pasi të miratohet propozimi, operatorët e telekomunikacionit celular do të kenë 36 muaj kohë nga publikimi i listës së furnitorëve me rrezik të lartë për të eliminuar gradualisht komponentët kryesorë të këtyre furnitorëve. Qëllimi është t’u përgjigjet shqetësimeve në rritje për ndërhyrjet e huaja, spiunazhin dhe varësinë e BE-së nga furnitorët e teknologjisë të vendeve të treta.
“Me paketën e re për sigurinë kibernetike, do të kemi mjetet për të mbrojtur më mirë zinxhirët tanë kritikë të furnizimit, por edhe për të luftuar me vendosmëri sulmet kibernetike,” tha nënkryetarja Henna Virkkunen.
Ministria e Jashtme e Kinës e ka cilësuar tashmë propozimin si “protekcionizëm i pastër dhe i thjeshtë.”





