Pasuria e legjendës së modës Valentino Garavani, i cili ndërroi jetë më 19 janar në moshën 93-vjeçare, është tani nën kujdesin e dy figurave kyçe: avokatit holandez Ronald Feijen (70 vjeç) dhe inxhinierit italian Piero Villani (77 vjeç).
Trashëgimia e stilistit përfshin prona luksoze, jahte, shoqëri financiare në ishujt e Kanalit të La Manshit dhe koleksione të çmuara arti. Feijen dhe Villani luajnë një rol vendimtar në menaxhimin e pasurisë, duke zotëruar edhe aksione të vogla, por të rëndësishme, në disa kompani.
Një nga asetet më të shtrenjta është Kështjella Wideville pranë Parisit, e blerë nga Valentino në vitin 2010, pas një historie shekullore që kaloi nga markezë tek kontë dhe princë. Sot vlera e saj është shumë më e madhe se shifra origjinale e blerjes.
Pasuria përfshin edhe jahtin 46-metërsh TM Blue One, i ndërtuar në vitin 1988 dhe i blerë nga leasingu në 1994-n, që aktualisht vlerësohet 12,4 milionë euro. Në Milano, vilat dhe shtëpitë e Valentinos janë pjesë e fondacionit të tij, që organizon ekspozita, sfilata dhe ngjarje të tjera artistike.
Stilisti nuk kishte fëmijë, por trashëgimia do të përfshijë partnerë të ngushtë dhe familjarë: Giancarlo Giammetti (83 vjeç), bashkëpunëtor dhe partner i jetës së Valentino, ish-modelin amerikan Bruce Hoeksema (68 vjeç), brazilianin Carlos Souza me familjen, dhe nipin e tij Oscar Garavani, ish-model dhe sot dizajner.
Sipas ekspertëve, vlera totale e pasurisë është e lartë, por larg niveleve miliardere. Megjithatë, në çdo pronë të Valentino, shfaqen dy “mbikëqyrësit” e pasurisë: Villani dhe Feijen, të cilët do të vendosin për të ardhmen e trashëgimisë së stilistit.





