Kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar qytetarët që në orën 17:00 të datës 24 Janar të mbushin sheshet dhe rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, Berisha theksoi se shpresa e fundit për Shqipërinë janë qytetarët guximtarë që do të protestojnë deri në largimin e Ramës nga pushteti.

Sipas tij, 24 janari është një datë kyçe për rrëzimin e asaj që ai e cilësoi si regjim kriminal që nuk respekton ligjin dhe Kushtetutën.

“Ndaj dhe jam sot këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, shpresa e fundit e Shqipërisë janë ata guximtarë që do vendosin të protestojnë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti. 24 janari është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar këtë regjim, këtë organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, standard, Kushtetutë, normë apo standard.

Mbarë shqiptarët kudo që janë, njerëzit e lirë në Europë dhe në botë, presin me 24 janar fjalën e kryengritjes paqësore të qytetarëve të revoltuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Ndaj dhe në ora 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të Tiranës dhe mbarë vendit të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij,” tha Berisha.