Këshilli i Ministrave ka vendosur sot lirimin nga detyra të prefektit të Qarkut të Durrësit dhe emërimin e një prefekti të ri. Vendimi është marrë në mbështetje të neneve 100 dhe 114 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5 të ligjit nr. 107/2016 “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme.

Sipas vendimit të qeverisë, Emiljan Jani është liruar nga detyra e prefektit të Qarkut të Durrësit, ndërsa Adrian Gurra është emëruar në këtë funksion.

Për afro 4 vite, Jani ka drejtuar një prej institucioneve më të rëndësishme lokale në Qarkun e Durrësit, nga prilli i vitit 2022 deri sot.

Emri i ri, Adrian Gurra, ka mbajtur postin si Drejtues i Arsimit, Kulturës dhe Sporteve në Durrës si dhe ka qënë drejtuesi më jetëgjatë në këtë post në bashkinë Durrës, duke qënë prej vitit 2007 e derimë shtator të vitit 2025, pra prej 18 vitesh në krye të AKS Durrës.