Një incident serioz është shmangur falë vëmendjes, reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të treguar nga salla operative e forcës së sigurisë së Portit të Durrësit, ku një anije me flamur të Gambias rrezikonte të përmbysej.
Lajmin e bën me dije Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Osman Metalla, i cili na jep disa detaje mbi ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme më 21 janar:
“Përmes sistemit të monitorimit dhe pamjeve të kamerave, operatori i sallës konstatoi se anija NS Sprinter, e akostuar në kalatën lindore, kishte pësuar një anim (kren) rreth 11°, duke u mbajtur praktikisht vetëm nga cimat e akostimit. Situata paraqiste një rrezik real dhe të menjëhershëm për capsizing (përmbysje) të anijes.
Menjëherë u ndërhy për normalizimin e gjendjes, duke shmangur një ngjarje që mund të kishte pasoja shumë të rënda: mbytjen e anijes në kalatë, bllokimin e aktivitetit portual, pasoja mjedisore, si dhe operacione të ndërlikuara për nxjerrjen e saj.
Anija NS Sprinter, me flamur të Gambias, gjatësi 82 m, gjerësi 12.5 m dhe IMO 9033866, në rast përmbysjeje do të kishte shkaktuar një situatë emergjente serioze në port.
Portet dhe kalatat janë infrastrukturë kritike, ndaj parandalimi i ngjarjeve të tilla është thelbësor për sigurinë, mjedisin dhe vijimësinë e operacioneve.
Për këtë arsye, vlerësoj maksimalisht profesionalizmin e FSPD, dhe në veçanti operatorit të sallës operative, i cili tregoi vigjilencë të lartë, vlerësoi rrezikun në kohë dhe ngriti menjëherë alarmin, duke parandaluar një tragjedi të mundshme.
Një shembull i qartë se sa vendimtare janë vëmendja njerëzore, përgjegjësia dhe profesionalizmi në sigurinë portuale.”, përfundon Metalla.






