Pasuri rekord në botë, e përqendruar në duart e vetëm 3 mijë personave. Ata posedojnë 18 mijë e 300 miliardë dollarë, shifër e paprekur deri më sot në histori, ndërsa, në kontrast, nga ana tjetër rritet numri i të varfërve, uria, sëmundjet dhe vdekshmëria nga shkaqe plotësisht të parandalueshme.

Pasuria e super të pasurve është rritur me 16 përqind në terma realë në vitin 2025, duke shënuar ritëm tre herë më të lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit, dhe niveli rekord prej 18 mijë e 300 miliardë dollarësh shënon një rritje prej 81përqind në krahasim me vitin 2020.
Vetëm 12 miliarderët e parë të listës kanë një pasuri më të lartë sesa gjysma e njerëzimit, pra 4.1 miliardë njerëz, në një botë ku sot jetojnë 8 miliardë frymë. Gjithashtu, gjysma e botës jeton në varfëri, duke shënuar rritje nga viti në vit, veçanërisht në kontinentin afrikan.

Këto janë statistikat e botuara nga një analizë ndërkombëtare e realizuar nga Oxfam, e publikuar në Forumin Ekonomik të Davosit në Zvicër.

Nga ky dosier dalin në pah edhe faktorë të tjerë, pasi super të pasurit jo vetëm kanë akumuluar më shumë pasuri, shumë më tepër edhe nga sa mund të shpenzojnë, por e kanë transformuar këtë pasuri në pushtet politik, duke e përdorur për të plazmuar shoqëritë dhe për të kushtëzuar rregullat ekonomike globale, në kurriz të të drejtave dhe lirive individuale e kolektive në gjithë botën.