Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas përfundimit të seancës së sotme në GJKKO, duke theksuar se nuk ka pasur shtyrje dhe se procesi sapo ka nisur.
Në një postim në Facebook, Meta shprehet se ishte këmbëngulja e tij që seanca të fillonte, duke falënderuar gjyqtaren e seancës paraprake për vendimin e marrë.
“Për 4 orë kemi dëgjuar prokurorët që lexonin akuzat e tyre për CEZ-DIA, të njëjtat që u shpërndanë më 21 tetor 2024. U detyruam të ndërhynim disa herë, jo për t’i ndalur, por për t’i ndihmuar të mos gënjejnë para gjykatës”, shkruan Meta.
Ish-presidenti shkruan se çështja CEZ-DIA ka pasur përfitime për shtetin shqiptar, duke humbur rreth 1.1 milion euro, por fituar mbi 4 milion euro.
Meta shton se seanca tjetër është caktuar pas një jave, edhe pse ai kishte kërkuar që të zhvilloheshin dy seanca në një javë.
Meta e mohon çdo pretendim për shmangie nga drejtësia dhe për manipulim të seancave:
“As i jam shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojra për shtyrje seancash. Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga ‘Palloshi i gjatë’ do të dalë e vërteta, jo vetëm që METE nuk është Meta, por ILIR META ËSHTË”, përfundon ish-presidenti në postimin e tij.





