Mbrëmjen e djeshme, një lokal sezonal në lagjen nr. 13 është përfshirë nga flakët, ku si pasojë lokali është dëmtuar rëndë. Sipas raportimit të “Durrëslajm”, lokali është shkrumbuar totalisht.

Policia e Durrësit ka dalë sot me një reagim zyrtar, duke bërë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh kanë referuar materialet në Prokurori për vlerësim. Nga verifikimet paraprake rezulton se nga zjarri nuk ka pasur persona të lënduar dhe janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Lokali është në pronësi të shtetasit R. B.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.