Papa Leo bëri thirrje këtë të dielë për ti dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Sipas tij sulmet e vazhdueshme ruse kundër Ukrainës po i lënë civilët të ekspozuar ndaj të ftohtit të dimrit.

Papa Leo XIV të dielën u bëri thirrje besimtarëve të luten për paqe në rajonet e prekura nga konflikti, duke theksuar Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe zona të tjera ku njerëzit vuajnë për shkak të luftës.

Duke folur pas recitimit të lutjes Angelus në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa e ktheu vëmendjen e tij te vuajtjet e vazhdueshme në Ukrainë, duke vënë në dukje se “edhe në këto ditë, Ukraina vazhdon të goditet nga sulme të pamëshirshme, duke lënë familje të tëra të ekspozuara ndaj të ftohtit të dimrit”.

“Unë jam pranë atyre që vuajnë dhe lutem për ta. Pasoja gjithnjë e më serioze për civilët, zgjeron përçarjen midis popujve dhe shtyn një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme më larg. Unë i bëj thirrje të gjithëve të intensifikojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës”- tha Papa.

Fjalët e Papës vijnë në një kohë kur ndërmjetësuesit ukrainas dhe rusë do të zhvillojnë bisedime ballë për ballë të mundësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi. Palët thuhet se kanë rënë dakord të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh të drejtpërdrejta paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA-të fundjavën e ardhshme, pavarësisht breshërieve të sulmeve vdekjeprurëse në qytetet dhe infrastrukturën ukrainase.

Ndërkohë, duke përshëndetur një grup të rinjsh të Aksionit Katolik në Romë të pranishëm në Sheshin e Shenjtë, Papa i falënderoi ata për iniciativën e tyre për t’i dhënë jetë një “Karavani për Paqen” dhe për “ndihmën për ta parë botën nga një perspektivë tjetër: ajo e bashkëpunimit midis njerëzve dhe popullatave që janë të ndryshme”.

Duke i nxitur ata të jenë ndërtues të paqes “në shtëpi, në shkollë, në sport, kudo”, Papa i kujtoi atyre të mos jenë kurrë të dhunshëm, “as me fjalë as me veprime” dhe se e keqja mposhtet nga e mira.

“Së bashku me këta të rinj, le të lutemi për paqen: në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në çdo rajon ku, për fat të keq, njerëzit po luftojnë për interesa që nuk janë ato të popujve të tyre. Paqja ndërtohet përmes respektit për njerëzit!” tha ai.