Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, ka theksuar se ekipi i tij ka humbur vetëbesimin, por ka justifikuar mungesën e fitoreve të durrsakëve, me faktin që ekipi është në tranzicion, siç ua kishte shpjeguar edhe tifozëve pas ndeshjes.“Çfarë mungoi? Vendosmëri, vetëbesimi, duhet të jemi më cinikë. Sot i duhet dhënë urime Vorës se me të vërtetë në pjesën e parë ishin më të vendosur, pashë një shpirt garë që ndoshta më parë nuk e kemi parë. Në fushën e vet, dëshira e tyre, këtu humbëm duelin në pjesën e parë, humbëm shumë se kishim mangësi në sulm e mbrojtje. Jemi të kënaqur për pikën por nuk erdhëm për të, është ndeshja e 8 që nuk fitojmë. Deshëm të reagonim, nuk reaguam siç duhet. U kam thënë djemve që duhet të kenë vetëbesim se nëse do të të respektojnë të tjerët, respekto veten. Këtu kemi një mangësi në këtë pikë, afrimet e reja nuk janë akoma në atë nivel se dihet tani nga lojtarët dikush nuk ka pasur minuta sa duhet. Por unë besoj te ky ekip e djem dhe them se po të kthehemi te vendosmëria e besimi, se karakterin e kemi, por nuk kemi stabilitet që ta mbajmë e tregojmë atë, them që ishte ndeshje për barazim.

Takimi me tifozerinë pas ndeshjes? Tifozeria ka kërkesa, ka dëshirat e veta dhe nuk i vëmë faj fare, të gjithë duam të fitojnë, sidomos ato presin Teutën, si dihet. Por është proces, me këmbë në tokë, ka skuadra si Dinamo, Vllaznia, Elbasani e Egnatia që ka 4-5 vite. Ne jemi në rindërtim, i kuptoj se kanë parë Teutën që ka treguar vlerat me ekipet e forta. Por me këto rivalët poshtë 5 të parëve janë të vështira. U thamë se duhet pak durim e mbështetje, njeriu ka nevojë për mbështetje kur je keq, se kur je mirë ecin vetë gjërat.

Jemi në tranzicion. Ne donim ta interpretonim me Arifin mes linjave e nuk na shkoi se kishim vështirësi, i duhen dhënë meritat Vorës. Kjo është fushë sintetike, e njohin më mirë se ne, kishim vështirësi në hapjen e lojës. Na mungoi vetëbesimi, duhet thënë se pa vetëbesim nuk mund të ndërtosh. Normale që e dimë që Kasalla është, sot interpretimi i Vorës ishte më i mirë sidomos në pjesën e parë. Ne filluam ta rregullojmë në të dytën. Nuk mund të nxjerr justifikim, por futem dy 17-18 vjeçare. Kemi marrë një projekt që mbi të gjitha Teuta të kthehet në ekip solid në vendet e para të klasifikimit, pro është tranzicion, ka vështirësi, nuk është e thjeshtë, ikin 5-6 e vijnë 5-6 të tjerë. Duhet ritmi, filozofia, harmonia, të gjitha, integrimi, nuk është e thjeshtë. Kemi 8 ndeshje pa fitore, por nuk e bëjmë problem, duhet të gjejmë zgjidhje dhe mundohemi çdo ditë. Mua më kanë ardhur në majë të humbjes barazimet, por nganjëherë kur nuk mund ta fitosh, edhe duhet të ruhesh e barazosh. Ne me Partizanin ishim 1-1 po në fund e humbëm se morëm gol. Unë nuk e ndjej presionin, me presidencën jam gjithë kohës në kontakt, puna ime është që çdo ditë të zhvilloj ekipin e ecim para. Jemi në tranzicion, jemi të vetëdijshëm, po dalim te loja, por mungesat bënë të vetëm. Se kur kishim lojtarët e duhur, kishim rezultate, me automatizmat e duhura. Sot kemi mbrojtjen e dytë më të mirë. Ne duam të sulmojmë, por nuk kënaqemi me barazimet, më mirë 5 fitore e 5 humbje, se 10 barazime. Ne ndikojmë çdo ditë si punojmë, ndonjëherë ka pengësa, mundohemi të mos jem ne vetë pengesa. Nuk po shkon gjithmonë sipas asaj që meritojmë, por herët a vonë frytet do i marrim”, tha Dobi.