Pak ditë më parë janë njoftuar zyrtarisht për shembjen e banesave të tyre, që i kanë në proces legalizimi.
Banorët e shtëpive që ndodhen pranë kanalit të ujërave të larta tek Ura e Dajlanit kanë protestuar sot, sepse prej më shumë se dy dekadash banojnë aty dhe kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë strehim, sepse rrezikojnë të përfundojnë në rrugë. Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë që të respektohet afati ligjor prej 10 ditësh, për lirimin e banesave.
Njëri nga protestuesit disa muaj më parë madje ka marrë leje nga bashkia për punimet që do të kryente në shtëpi, ndërsa sot mban në dorë letrën e prishjes.
Në kuadër të zgjerimit dhe pastrimit të kanalit të ujërave të larta tek Ura e Dajlanit, i cili shërben për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave që vijnë nga zona e Shkozetit dhe Plazhit janë prishur edhe baraket e rreth 20 familjeve të komunitetit rom.
Ditë më parë, bashkia Durrës dhe kryebashkiakja Emiriana Sako njoftuan se po prishen tek Ura e Dajlanit të gjitha pengesat dhe objektet që pengojnë zgjerimin e kanalit.
M.B.





