Përfaqësues të 16 familjeve, banesat e të cilave ndodhen pranë kanalit të ujërave të larta tek Ura e Dajlanit kanë qenë sot në bashkinë Durrës.
Prej disa ditësh, ata janë njoftuar nga IKMT për prishjen e banesave të tyre, për shkak të zgjerimit të kanalit, por institucionet shtetërore nuk u kanë lënë kohë të përmbushet as afati ligjor prej 10 ditësh për të gjetur një strehë tjetër.
IKMT ka vendosur si afat të fundit për prishjet ditën e mërkurë, ndërsa banorët kërkojnë nga bashkia strehim dhe bonus qiraje, sepse nuk mund të flaken në rrugë pas 20 vitesh që jetojnë aty.
Një përfaqësues i organizatës Ushten, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, Ismail Jakupi, tha se gjatë takimit ku ishin të pranishëm specialistë të bashkisë banorëve iu premtua se do t’u lidhet bonus qiraje.
Paavarësisht kërkesave të banorëve për të shtyrë afatin e prishjeve, IMKT u deklaroi përfaqësuesve të banorëve, se urdhri për prishjet do të zbatohet ditën e sotme, pasi dy ditët në vijim priten reshje të dendura shiu.
Më herët, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako njoftoi në rrjete sociale se do të vijohet me prishjen e çdo objekti që pengon zgjerimin, por edhe me pastrimin e mirëmbajtjen e kanaleve kulluese.
M.B.





