Personat që rrinë zgjuar deri vonë dhe janë më aktivë gjatë natës mund të kenë rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, sipas një studimi të ri të publikuar në Journal of the American Heart Association.
Hulumtimi analizoi të dhëna nga mbi 322 mijë të rritur në kuadër të studimit UK Biobank dhe zbuloi se individët me kronotip mbrëmjeje, kishin shëndet më të dobët kardiovaskular krahasuar me ata që zgjohen herët ose me ata që nuk kanë preferencë të theksuar për orarin e gjumit.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Sina Kianersi nga Harvard Medical School, lidhja mes qëndrimit zgjuar natën dhe shëndetit të dobët të zemrës ishte veçanërisht e fortë te gratë. Personat që nuk flenë natën kishin rreth 79% më shumë gjasa të kishin shëndet të dobët kardiovaskular dhe rrezik më të lartë për atak në zemër ose goditje në tru gjatë një periudhe ndjekjeje prej gati 14 vitesh.
Ekspertët theksojnë se ky rrezik lidhet shpesh me zakone të pashëndetshme si dieta e dobët, mungesa e aktivitetit fizik, pirja e duhanit dhe oraret e parregullta të gjumit dhe vakteve.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rreziku nuk është i pashmangshëm. “Sëmundjet e zemrës nuk janë të shkruara për ata që nuk flenë natën”, tha Dr. Kristen Knutson nga Universiteti Northwestern. Ajo dhe ekspertë të tjerë rekomandojnë përmirësimin e cilësisë së gjumit, aktivitet të rregullt fizik, lënien e duhanit dhe kontrollin e presionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit në gjak.
Studimi është vëzhgues dhe nuk provon se kronotipi shkakton drejtpërdrejt sëmundje të zemrës, por tregon se mënyra e jetesës luan rol kyç në mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular.





