Finalizohet operacioni policor i koduar “Stadiumi”, i zhvilluar në kushte të larta sigurie nga forcat operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë e Shijakut. 

U vu në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit, ngjarje e ndodhur te stadiumi në Shijak, më datë 30.05.2020. 34-vjeçari, i arrestuar është shtetasi Alvaro Jashari.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stadiumi”. 

Në kuadër të operacionit, i cili u zhvillua në kushte të larta sigurie pasi personi paraqiste rrezikshmëri shoqërore, u bë e mundur që në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Shijak, në harkun kohor prej katër minutash, nga shërbimet e Policisë të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi: 

A. J., 34 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.”, njofton policia e Durrësit.

Ky shtetas, më datë 30.05.2020, rreth orës 20:45, te stadiumi në Shijak, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Enri Isai, 28 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënimin me burgim deri në 7 vjet.