Që nga dita e premte jetojnë të ngujuar në shtëpi, prej episodeve të dhunës të ditëve të fundit. Dy familjet Meçani janë të traumatizuara, sepse 3 ditë më parë kryefamiljari Fatmir Meçani u dhunua nga disa persona, ndërsa po shkonte në një dyqan lagjeje, në zonën e Nishtullës.

Si të mos mjaftonte dhuna ndaj Fatmirit 55-vjeçar, të njëjtët persona kanë sulmuar më pas makinën e nipit të tij Lulzimit, ku ndodheshin 4 persona të familjes Meçani, që po shoqëronin në spital të dhunuarin.

Pa kaluar 24 orë nga ngjarja e parë, dy familjet Meçani, që i përkasin komunitetit rom janë terrorizuar sërish nga të shtënat me armë pranë shtëpive të tyre, dëshmitare e të cilave ka qenë 55-vjeçarja Liljana Meçani.

Këto nuk janë episodet e vetme të dhunës ndaj këtyre familjeve, që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Të ngjashme kanë ndodhur edhe në muajin shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar, për të cilat ata bërë denoncimet përkatëse në polici.

Frika  nga personat që i kanë dhunuar, të cilët janë fqinjë me ta, po i detyron të mos çojnë në shkollë as fëmijët e vegjël.

Në njoftimin për shtyp, lidhur me rastin, policia e Durrësit bëri të ditur se sherri ka ndodhur për motive të dobëta dhe për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, ka nisur procedimi penal për shtetasin A. Z., 44 vjeç, si dhe është bërë shpallja në kërkim e shtetasve S. Z. dhe V. R.

55-vjeçari Fatmir Meçani kërkon mbrojtje nga shteti, sepse i trembet faktit se dhuna mund të përshkallëzohet e të shoqërohet me viktima.

M.B.