Mjeku Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, tha se muajt janar dhe shkurt janë periudha kur gripi arrin maksimumin e qarkullimit gjatë një sezoni normal.
Ai theksoi se ky sezon është standard dhe nuk përbën një situatë alarmante, edhe pse duket se ka prekur më shumë fëmijët, të cilët shpesh shfaqin temperaturë të lartë deri në 40 gradë Celsius, por simptomat kalojnë brenda 2-3 ditëve.
Alimehmeti shtoi se periudha e fundit të janarit dhe fillimi i shkurtit përbën kulmin e gripit, i cili gradualisht bie gjatë gjysmës së dytë të shkurtit dhe marsit, duke theksuar se kjo është normale për muajt më të ftohtë dhe pas festave të vitit të ri, kur njerëzit qëndrojnë më shumë bashkë dhe virusi qarkullon më lehtë.
Ilir Alimehmeti: Janari dhe shkurti janë muajt ku kemi maksimumin e qarkullimit të gripit në një sezon normal. Ky është një sezon standard, fiks në sezonin dhe periudhën e tij, ku qarkullojnë disa lloj virusesh. Si çdo dimër, normalisht që qarkullojnë dhe viruset e gripit, nuk është epidemi më e madhe se sa vitet e tjera. Nuk është ajo situatë që ne ta quajmë alarm të madh. Duket se ka prekur më shumë fëmijët, me temperaturë të lartë deri në 40 gradë Celsius, por që kalojnë pas 2-3 ditësh dhe fillojnë që të bien.
Gripi në këtë periudhë është në pikun e tij, apo e ka kaluar?
Ilir Alimehmeti: Pak a shumë, kjo është periudha maksimale e gripit. Fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit është periudha maksimale e gripit dhe fillon bie përgjatë gjysmës së dytë të shkurtit dhe në mars ka raste, por që bie më tepër. Është klasike e këtyre muajve, sepse janë muaj më të ftohtë. Ne rrimë më shumë njëri me tjetrin, gjithashtu ndikon shumë edhe pjesa e festave të vitit të ri. Kjo e mundëson shumë më tepër, sepse rrimë më shumë me njëri-tjetrin dhe kalimi i virusit vjen me qarkullimin e njerëzve. Duhet ta shohim si diçka normale të jetës, sepse fëmija duhet të fillojë dhe ta ndërtojë sistemin imunitar. Ndryshimet më të mëdha dhe të shpeshta të temperaturës janë më shumë problemi se sa vetë temperatura e jashtme. Gjëja kryesorë është, që ky është sezoni i gripit, në këto muaj presim që të qarkullojë si çdo vit. Ka vite që është më shumë dhe ka vite që është më pak, ky duket si një vit relativisht mesatar.





