Pinterest ka shkarkuar dy inxhinierë pasi ata përdorën mjete të brendshme për të identifikuar se cilët punonjës ishin larguar nga puna.
Sipas kompanisë, inxhinierët kishin krijuar skripte të personalizuara që aksesonin në mënyrë të paautorizuar informacion konfidencial, duke zbuluar emrat dhe vendndodhjet e punonjësve të pushuar, të cilat më pas u shpërndanë edhe tek persona të tjerë.
“Kjo ishte një shkelje e qartë e politikave të Pinterest dhe e privatësisë së ish-kolegëve tanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë për BBC.
Pinterest njoftoi së fundmi se do të shkurtojë rreth 15% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 700 vende pune, si pjesë e një strategjie të re të përqendruar te inteligjenca artificiale. Drejtori ekzekutiv Bill Ready tha në një email se kompania po “dyfishon përkushtimin ndaj një qasjeje të orientuar drejt AI-së”.
Burime të njohura me çështjen bëjnë të ditur se skriptet synonin mjete të brendshme komunikimi, si Slack, duke gjeneruar sinjalizime kur llogaritë e punonjësve çaktivizoheshin, një mënyrë e zakonshme për të kuptuar se kush është prekur nga pushimet nga puna.
Identitetet e dy inxhinierëve të shkarkuar nuk janë bërë publike dhe ata nuk kanë komentuar mbi rastin.
Industria e teknologjisë po përballet me shkurtime masive të vendeve të punës vitet e fundit. Vetëm këtë vit, kompani si Amazon, Meta, Google dhe Microsoft kanë larguar mijëra punonjës.
Sipas platformës Layoffs.fyi, rreth 700 mijë persona janë pushuar nga puna në sektorin global të teknologjisë gjatë katër viteve të fundit.





