Një studim i gjerë në Suedi sfidon bindjen se autizmi është më i shpeshtë te meshkujt dhe nxjerr në pah vonesat dhe paragjykimet në diagnostikimin e vajzave.
Femrat mund të jenë po aq të prekura nga autizmi sa meshkujt, por djemtë kanë deri në katër herë më shumë gjasa të diagnostikohen gjatë fëmijërisë, sipas një studimi të udhëhequr nga Instituti Karolinska në Suedi.
Hulumtimi analizoi të dhënat e rreth 2.7 milionë personave të lindur në Suedi mes viteve 1985 dhe 2020. Nga ta, 2.8% u diagnostikuan me autizëm midis moshës dy dhe 37 vjeç. Studiuesit zbuluan se deri në moshën 20-vjeçare, normat e diagnostikimit te meshkujt dhe femrat ishin pothuajse të barabarta.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Caroline Fyfe, diferenca gjinore në autizëm është shumë më e vogël sesa është menduar më parë dhe lidhet kryesisht me faktin se vajzat dhe gratë shpesh nuk diagnostikohen ose diagnostikohen me vonesë.
Studimi tregoi se djemtë diagnostikohen mesatarisht rreth tre vjet më herët se vajzat. Mosha mesatare e diagnostikimit ishte 13.1 vjeç për djemtë dhe 15.9 vjeç për vajzat. Nën moshën 10 vjeç, djemtë kishin tre deri në katër herë më shumë gjasa të merrnin diagnozë, ndërsa vajzat e “kapnin diferencën” gjatë adoleshencës.
Autorët theksojnë se këto të dhëna nxjerrin në pah nevojën për të rishikuar mënyrën se si diagnostikohet autizmi te vajzat. Studimi, i botuar në revistën BMJ, vëren gjithashtu se raporti meshkuj-femra në autizëm është ulur me kalimin e kohës dhe me rritjen e moshës në momentin e diagnostikimit.
Në një editorial shoqërues, aktivistja për të drejtat e pacientëve Anne Cary thekson se pabarazitë nuk pasqyrojnë një diferencë reale në incidencë, por janë pasojë e paragjykimeve sistemike në diagnostikim. Ajo paralajmëron se vajzat autike shpesh keqdiagnostikohen me çrregullime të shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni, për shkak të mungesës së mbështetjes së duhur.
Organizatat për autizmin kërkojnë më shumë ndërgjegjësim dhe luftim të stereotipeve gjinore. Sipas Dr. Judith Brown nga Shoqata Kombëtare për Autizmin, gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa të “maskojnë” shenjat e autizmit, gjë që e bën diagnostikimin më të vështirë dhe rrit rrezikun për probleme të shëndetit mendor.
Ekspertët theksojnë se shërbimet diagnostikuese duhet të përshtaten më mirë për të njohur format e ndryshme të shfaqjes së autizmit te vajzat dhe gratë, në mënyrë që ato të kenë akses të barabartë në diagnozë dhe mbështetje.





