Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Sipas kryeministrit, Gjykata Kushtetuese nuk e gjeti dot forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë me këtë vendim nga GJKKO. Ai tha se Shqipëria u bë për herë të dytë, në pak muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror.

Shefi i qeverisë u shpreh gjithashtu gjatë Podcastit “Flasim” se as Prokurori që ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra, nuk e akuzon Ballukun për korrupsion.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi. Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.”, u shpreh Rama.

Duke e cilësuar si mosvendimmarrje, pasi votat e anëtarëve u ndanë 4 pro e 4 kundër, duke bërë që ankimimi i qeverisë të ishte automatikisht i rrëzuar, Rama tha se edhe Prokurori që ka kërkuar masën e pezullimit për Ballukun, nuk e ka akuzuar atë për korrupsion, i cili sipas tij, “shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.”