Kryeministri Edi Rama tha se vendimi për të hapur TikTok, pasi gati një vit mbylljeje, ishte i paralajmëruar dhe i marrë pas një dialogu me kompaninë që e zotëron për vendosjen e mekanizmave të rinj të sigurisë dhe filtrave.
Sipas kryeministrit, me vendimin për ta hapur rrjetin social nuk ka të bëjë fare as me tërheqje apo me dorëzim, siç është përfolur. Rama tha në Podcastin e tij “Flasim” se TikTok është sërish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie.
“Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.”, u shpreh ai.
Këto filtra, theksoi Rama, janë mbi përmbajtjen, me kontrolle efektive si edhe “mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë.”
Një koment ironizues bëri edhe për çuarjen në Gjykatën Kushtetuese nga Asociacioni i Gazetarëve për mbylljen e rrjetit social, teksa tha se “nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok.”
“Sot TikTok është sërish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë.”, tha Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
Këtë javë doli dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok. Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin.
Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.





