Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka përshëndetur marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Gjermania.
Cakaj shkruan në Facebook se me Presidencën Gjermane të Këshillit, do të punojmë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe kryerjen e të gjitha detyrimeve të nevojshme për përparimin e mëtejmë në procesin e anëtarësimit në BE.
POSTIMI I PLOTË
Gjermania tashmë ka marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian!
Përderisa nën Presidencën Kroate është arritur vendimi historik për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me Presidencën Gjermane do të punojmë fort e ngushtë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare.
Mbështetja e Gjermanisë ka qenë jetike për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor: me Presidencën Gjermane të Këshillit, ndërkaq, do të punojmë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe kryerjen e të gjitha detyrimeve të nevojshme për përparimin e mëtejmë në procesin e anëtarësimit në BE.
Vlen, natyrisht, të theksohet se liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës është i një rëndësie thelbësore, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon në përgjithësi!
Shqipëria do të vazhdojë me përkushtim të plotë punën e pakursyer për anëtarësim në BE!





