​Në Kavajë vazhdon puna në Kantierin e Rindërtimit për të strehuar banorët, të cilët u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit. 

300 apartamente të reja do të ndërtohen për të plotësuar nevojat e të dëmtuarve që u detyruan të zhvendosin jetën e tyre diku tjetër. E quajtur “Zona e Re për Zhvillim 1”, ajo shtrihet brenda dy blloqesh banimi, që për nga ana urbane do të ndërtohen pothuaj tërësisht të rinj.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin sot në këtë kantier, ku tashmë ka nisur puna. Kompleksi i ri do të përbëhet nga 7 pallate banimi dhe do të shoqërohet me ndërtimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme, duke filluar nga rrjeti rrugor e në vazhdim me rrjetin elektrik dhe kanalizimet për ujësjellësin dhe për shkarkimin e ujërave të përdorura. 

“Në muajt e parë të vitit tjetër, gjithë lagjja do marrë formë sipas projektit të plotë”, tha ministri Ahmetaj, ndërkohë që në Kavajë janë 1209 kryefamiljarë, të cilët marrin dëmshpërblimin sipas kategorisë së dëmeve DS1, DS2 dhe DS3 të apartamenteve apo shtëpive të tyre private. 

Ndërtimi i kompleksit do të shoqërohet edhe me ndërtimin e sistemimin e një sërë hapësirash publike, të cilat do shërbejnë si hapësira rekreacioni për grupmosha të ndryshme. Kryeministri gjatë inspektimit të punimeve theksoi se “duhet të nxjerrim më të mirën e mundshme”.​