Autoritetet ruse po përpiqen të kufizojnë përdorimin e aplikacioneve të njohura të komunikimit WhatsApp dhe Telegram, me synimin për të orientuar përdoruesit drejt një platforme të re komunikimi të kontrolluar nga shteti.
Sipas deklaratës së publikuar nga WhatsApp, në pronësi të kompanisë Meta Platforms, qeveria ruse ka tentuar të bllokojë plotësisht funksionimin e aplikacionit në vend. Kompania theksoi se një veprim i tillë synon të detyrojë qytetarët të përdorin një aplikacion komunikimi të kontrolluar nga autoritetet shtetërore.
“Qeveria ruse u përpoq të bllokonte plotësisht WhatsApp për t’i shtyrë njerëzit drejt një aplikacioni mbikëqyrjeje në pronësi të shtetit”, thuhet në reagimin e kompanisë. WhatsApp shtoi se heqja e aksesit për mbi 100 milionë përdorues ndaj një mjeti privat dhe të sigurt komunikimi përbën një hap prapa dhe mund të ndikojë negativisht në sigurinë e qytetarëve në Rusi. Kompania deklaroi gjithashtu se po vazhdon përpjekjet për të ruajtur lidhjen e përdoruesve me platformën.
Në të njëjtën kohë, autoritetet rregullatore ruse kanë vendosur kufizime edhe ndaj Telegram, duke e akuzuar platformën për shkelje të legjislacionit rus dhe për mosmarrje të masave të mjaftueshme për të parandaluar përdorimin e aplikacionit për qëllime terroriste.
Telegram, i themeluar nga sipërmarrësi rus Pavel Durov, i cili zotëron edhe shtetësi franceze, mbetet një nga platformat më të përdorura të mesazheve në Rusi, së bashku me WhatsApp. Megjithatë, përdorimi i WhatsApp është kufizuar ndjeshëm që prej janarit të këtij viti për arsye të ngjashme.
Durov ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve, duke deklaruar se kufizimi i lirive të qytetarëve nuk është zgjidhje. Ai akuzoi Moskën se synon të detyrojë qytetarët të kalojnë drejt një aplikacioni të kontrolluar nga shteti, i cili sipas tij është projektuar për mbikëqyrje dhe censurë politike.
Autoritetet ruse po promovojnë përdorimin e një platforme të re mesazhesh të quajtur “Max”.
Aplikacioni, në pronësi të gjigantit rus të rrjeteve sociale VK dhe funksional që nga viti 2025, paraqitet si një “super-aplikacion” që ofron shërbime të shumta, përfshirë akses në shërbime qeveritare dhe tregti online. Megjithatë, deri tani platforma nuk ka arritur popullaritet të gjerë në mesin e përdoruesve rusë.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet ruse ndërmarrin masa ndaj aplikacioneve të huaja të komunikimit. Gjatë verës së kaluar, Rusia ndaloi thirrjet zanore përmes Telegram dhe WhatsApp, duke intensifikuar kontrollin mbi komunikimet digjitale në vend.





