Republika e Kosovës shënon më 17 shkurt 2026, 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me një sërë aktivitetesh shtetërore dhe përkujtimore.
Manifestimet do të nisin me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës.
Më pas, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë.
Aktivitetet përkujtimore do të vijojnë me homazhe dhe nderime pranë monumenteve dhe figurave kyçe të historisë së shtetit më të ri në Evropë.
Fillimisht do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve, pastaj homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.
Homazhe do ketë edhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe ai i veprimtarit Adem Demaçi.
Në orën 09:00 delegacionet shtetërore do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pjesa qendrore institucionale e ditës zhvillohet në orën 10:30 me seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në orën 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti i Heroinave, për të vazhduar në 11:30 me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Aktivitetet përmbyllen në mbrëmje me pritjen shtetërore të organizuar nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, në orën 17:30, ndërsa në orën 20:00 mbahet koncerti solemn në Filarmoninë e Kosovës.
18-vjetori i Pavarësisë shënohet me mesazhe uniteti, kujtese dhe përkushtimi për të ardhmen e vendit.





