Pas reshjeve të shiut të ditëve të fundit, rruga “Vath Turja” që të çon drejt Sektorit Rinia është thuajse e pakalueshme, jo vetëm për makinat, por edhe mjetet e tonazhit në mesëm dhe të lartë.

Degradimi i infrastrukturës rrugore rëndon xhepat e të gjithë drejtuesve të mjeteve që e përshkojnë atë, sepse detyrohen të paguajnë vazhdimisht për riparimin e difekteve që pësojnë makinat, prej gropave të stërmëdha, të krijuara përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi prej rreth 6 km.

Është shumë problem, s’lamë makinë pa prish. 40 minuta me ardh nga Durrësi deri këtu!”

“Kam lënë mbi 700 mijë lekë goma në këtë rrugë. Nuk e di ku e kanë qëllimin, as në Palestinë nuk ndodh kështu”.

“Jena anku boll 100 herë, por s’kanë dhënë rrugëzgjidhje. Rroftë qeveria që mbrojnë njëri tjetrin, se ne na kanë harru fare”,- thonë drejtuesit e mjeteve.

Linja urbane është e vetmja mundësi lëvizjeje për shumë të moshuar, që shoqërojnë nipat dhe mbesat në shkollë. Prej mëse 6 vitesh, ata vuajnë pasojat e infrastrukturës së dëmtuar.

“Jo vetëm makina, por edhe autobusi prishet këtu. Ne e kemi të nevojshme rrugën”.

“Kalamajtë në shkollë i çojmë me autobus. Duhet me marrë çizmet me dalë se ndryshe nuk kalohet”.

“Kam 20 vjet që jetoj këtu, kjo rrugë është rregulluar dy herë. Po kjo rrugë s’është bërë me standarte. Po s’u mbyll kanali, rruga prapë do prishet”.

Pas shirave të ditëve të fundit, kanali i ujërave të larta në këtë zonë, është i bllokuar, ndërsa sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe banesa janë nën ujë. Banorët kërkojnë nga autoritetet zgjidhje konkrete për kanalin dhe rrugën, sepse duhet t’u garantohen shërbimet bazike.

“I bëjmë kërkesë kryeministrit, se ai ka thënë do hyjmë në Evropë. Në Evropë nuk hyhet me këtë rrugë. Evropa ka standarte të tjera. Këtu s’ka as ndriçim, as trotuar me kalu në këmbë njeriu. Asnjë lloj gjëje!”

“Unë dua të shtrohet, për fëmijët e mi, se kam 3 vajza në shkollë. I çoj në Shënavlash të treja. Por edhe për fëmijët e të gjithëve…”

Nga bashkia mësojmë se për aksin në fjalë do të kryhet një studim i hollësishëm që përfshin infrastrukturën rrugore dhe sistemin e kanalizimeve dhe më pas do të procedohet me projektin e saj.

M.B.