Një model i ri i inteligjencës artificiale, i zhvilluar nga kompania kineze që zotëron TikTok, ka vënë në alarm industrinë e filmit në Hollywood. Bëhet fjalë për Seedance 2.0, një sistem që krijon video me cilësi kinematografike me efekte zanore dhe dialog vetëm nga disa udhëzime të shkruara.

Modeli është zhvilluar nga gjiganti teknologjik ByteDance dhe, ndonëse u lançua fillimisht pa shumë bujë në qershor 2025, versioni i dytë ka shkaktuar reagime të forta në industrinë kreative.

Në rrjetet sociale janë bërë virale klipe që pretendohet se janë krijuar me Seedance, ku shfaqen personazhe të njohur si Spider-Man, Deadpool dhe Darth Vader.

Një nga shembujt më të përfolur është një video ku Will Smith shfaqet duke ngrënë spageti, si dhe një tjetër ku ai përballet me një “përbindësh spageti” skena që i ngjan një produksioni me buxhet të lartë.

Ekspertët e industrisë thonë se cilësia e videove dhe realizmi i skenave të aksionit e vendosin këtë model në një nivel të ri krahasuar me konkurrentët.

Seedance funksionon në mënyrë të ngjashme me mjete të tjera të AI-së si Midjourney dhe Sora, por dallon për faktin se kombinon tekstin, imazhin dhe audion në një sistem të vetëm.

Menjëherë pas përhapjes së videove, studio të mëdha si The Walt Disney Company dhe Paramount Pictures kanë akuzuar ByteDance për shkelje të të drejtave të autorit, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të përmbajtjes së tyre.

Sipas raportimeve, edhe autoritetet japoneze po hetojnë rastin pas publikimit të videove me personazhe të njohur anime.

ByteDance ka deklaruar se po ndërmerr hapa për të “forcuar masat mbrojtëse ekzistuese”.

Debati për të drejtat e autorit në epokën e AI-së nuk është i ri. Në vitin 2023, The New York Times paditi OpenAI dhe Microsoft për përdorim të paautorizuar të artikujve të saj në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Seedance ka rikthyer në qendër të vëmendjes avancimin e teknologjisë kineze në fushën e AI-së. Vitin e kaluar, modeli kinez DeepSeek tërhoqi vëmendje globale duke u bërë një nga aplikacionet më të shkarkuara në SHBA.

Ekspertët vlerësojnë se investimet e Kinës në inteligjencën artificiale, robotikë dhe prodhimin e çipave të avancuar mund ta pozicionojnë vendin në krye të garës teknologjike globale.

Ndërkohë, për kompani të vogla të prodhimit filmik, teknologji si Seedance 2.0 mund të përkthehen në kosto më të ulëta dhe mundësi për të realizuar projekte më ambicioze.

Zhvillimi i shpejtë i AI-së po hap një kapitull të ri për industrinë kreative, mes mundësive të mëdha dhe sfidave ligjore që pritet të thellohen në muajt në vijim.