Një fëmijë 2-vjeçar në Itali ka ndërruar jetë pasi iu nënshtrua një transplanti zemre. Zemra që iu vendos 2-vjeçarit Domenico u dëmtua rëndë për shkak të kontaktit me të ftohtit gjatë transportimit në spital.

Avokati i familjes, Francesco Petruzzi deklaroi se organi mbërriti i dëmtuar pasi u transportua mbi 800 km nga Bolzano në Napoli në një enë të papërshtatshme, pa një termometër për të njoftuar ekipin mjekësor për temperaturën e ulët.

Para operacionit, të realizuar më 23 dhjetor 2025, Domenico ishte vendosur në disa aparatura që e mbanin në jetë për gati dy muaj. Të mërkurën, një panel specialistësh pediatër arriti në përfundimin se gjendja e tij nuk ishte e mirë për një transplant tjetër.

Gjashtë mjekë janë vënë nën hetim zyrtar në një rast që ka shkaktuar zemërim në Itali.

Për këtë rast, reagoi edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, përmes një postimi në rrjetet sociale.

E gjithë Italia po vajton humbjen e Domenikos së vogël, një luftëtar që nuk do të harrohet kurrë. Nënës së tij Patrizia, babait të tij Antonio dhe të gjithë të dashurve të tij, në emër tim dhe të Qeverisë, u shpreh përqafimet e mia më të sinqerta dhe ngushëllimet më të thella. Jam e sigurt se autoritetet kompetente do të hedhin dritë të plotë mbi këtë ngjarje të tmerrshme”, tha Meloni.