Kryeministri Edi Rama e ka nisur konferencën për mediat sot nga Prishtina, duke kërkuar ndjesë për një vonesë prej 19 minutash, teksa tha se në këtë vizitë të zhvilluar ditët e fundit, ka konfirmuar një lajm shumë të rëndësishëm lidhur me hyrjen në funksion të rrjetit të përbashkët elektro-energjetik dhe të investimit të midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai i qëndroi fort faktit se aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, është si një fletërrufe dhe një akt i pashembullt për momentin e bërjes publike.
“Së pari dëshiroj të bëj të qartë faktin se unë jam këtu në funksion të një nevojë kombëtare besoj për t’i dhënë një mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politik të saj, në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë. Pothuajse për dy dekada në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës, është konceptuar është mbështetur dhe zhvilluar si një proces i pandashëm nga procesi i shtetndërtimit, i pajtimit ndëretnik, procesi i integrimit, dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Madje në këtë formë është formuluar edhe në strategjinë e zhvillimit të Ballkanit perëndimor nga BE.
Është krejt e kuptueshme që procesi i vështirë i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit me të kaluarën nëpërmjet drejtësisë, por dhe ndërtimit të së ardhmes përmes politikës dhe komunikata e ashtëquajtur për mua një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me “komunikata” përgjatë revolucionit kinez, një faqe që ne e kemi jetuar në Shqipëri në kohën e diktaturës.
Është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj, përben një arsye , pavarësisht nëse është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi me rëndësi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj gjykate speciale të radhës, nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen”.





