Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, është finalizuar ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar Durim Bami, 47 vjeç, banues në Krujë.
Ky operacion është pjesë e aksionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, dhe u realizua falë shkëmbimit intensiv të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Dubait.
Durim Bami ishte në kërkim ndërkombëtar që prej datës 15 maj 2024, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale:
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
Kultivimi i bimëve narkotike
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal
Në Aeroportin e Rinasit, i shumëkërkuari u priti një ekip i specializuar i përbërë nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe Policia e Burgjeve, të cilët e shoqëruan për në institucionin përkatës të ndalimit.





