Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot më 28 shkurt, në lidhje me sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit.

Ai shprehet se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Rama shton se kjo organizatë duhet trajtuar, jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e renditur ndër organizatat terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Kreu i qeverisë shqiptare kujton se Shqipëria ka përjetuar barbarinë e regjimit të Teheranit, pasi ky i fundit ka goditur kryer sulme kibernetike.

“Shqipëria ka përjetuar drejtpërdrejt fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore. Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë. Do të quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta renditim ndër organizatat terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë”, shprehet Rama.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e renditur ndër organizatat terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Jo vetëm sepse qëndrojmë të vendosur me Izraelin dhe me vendet arabe vëllazërore që kërkojnë paqe.

Jo vetëm sepse mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.

Jo vetëm sepse Bashkimi Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe një herë sot natyrën vrasëse të regjimit të Teheranit.

Por mbi të gjitha, në një ditë si kjo, kur kërkohen veprime, jo vetëm fjalë, në nder të viktimave të pafund të pafajshme të Krorpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Shqipëria ka përjetuar drejtpërdrejt fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore.

Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë. Do të quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta renditim ndër organizatat terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.

Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e mirë që vrasësit në Teheran të fitojnë kapacitete bërthamore ose të tjera ushtarake për të dëmtuar Izraelin ose çdo vend tjetër që do paqe në Lindjen e Mesme.

Terrorizmi duhet të quhet me emër. Dhe kur quhet, ai duhet të ndalet.

Gjatë ditës së sotme, 28 shkurt, Izraeli në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar Iranin me raketa. Si pasojë e sulmit, raportohet se kanë humbur jetën dhjetëra persona. Aktorët politikë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.