Nënkryetarja e Kuvendit tê Shqipërisë Klodiana Spahiu mori pjesë në Seminarin e XV të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, zhvilluar në Kretë, Greqi me temë: “Ndërthurja e mësimit tradicional të gjuhës shqipe me digjitalizimin: Roli i teknologjisë në rritjen e motivimit të fëmijëve të diasporës”.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë edhe kryetarja e LMSHG, Klarita Selmanaj, Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi Luela Hajdaraga, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës Ermonela Xhafa, Prof. Dr. Shezai Rrokaj si dhe shumë personalitete të tjera të arsimit dhe komunitetit shqiptar.
Në përshëndetjen e saj, Spahiu theksoi se: “me përulje i përgëzoj mësuesit për misionin fisnik të mësimit të gjuhës amtare tek brezi i ri, një mision që kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e traditave, zakoneve, vlerave kulturore dhe historike të vendit tonë. Në këtë rrugëtim, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë, të Ministrisë së Arsimit, si dhe të Ambasadës sonë në Athinë, me Ambasadoren Luela Hajdaraga në krye, e cila ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm për të qenë një pikë e fortë mbështetjeje për mësuesit tanë në diasporë.
Mbi 27 mijë e 200 tekste mësimore “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare” janë shpërndarë vitin e kaluar për nxënësit e shkollave dhe klasave të gjuhës shqipe në diasporë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e identitetit kombëtar dhe gjuhësor. Sot kemi rreth 400 shkolla dhe klasa në vende të ndryshme të botës ku zhvillohet mësim në gjuhën amtare, përfshirë edhe Greqinë.
Bashkëpunimi me institucionet në diasporë në Zvicër, Gjermani, Angli, SHBA dhe shumë shtete të tjera ka vijuar me intensitet. Por përtej seminareve dhe konferencave, jetojmë në një epokë të transformimit digjital. Teknologjia po ndryshon mënyrën si komunikojmë dhe mësojmë, duke na afruar më shumë me njëri-tjetrin. Në këtë kuadër, projekti “Mëso Shqip” dhe platformat e e-book për shkarkimin e teksteve shkollore në shqip janë hapa konkretë për të lehtësuar aksesin në materiale mësimore dhe për të rritur motivimin e fëmijëve tanë në diasporë”.





