Këtë të hënë në orën 11:00, kryeministri Edi Rama pritet të takojë kreun e Shtetit Bajram Begajn në Pallatin e Brigadave.
Kreu i qeverisë do t’i propozojë Presidentit Bajram Begaj 7 ndryshimet në qeveri. Begaj ka 7 ditë kohë të dekretojë shkarkimin dhe emërimin e emrave të rinj të qeverisë, më pas ndryshimet paraqiten në Kuvend.
Të enjten e 26 shkurtit, vetëm 5 muaj pasi mori votëbesimin e kabinetit të katërt qeverisës në shtator të vitit të shkuar, Edi Rama ndryshoi drejtimin e ministrive.
Postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, të mbajtur nga Belinda Balluku, Rama ia besoi Enea Karakaçit, aktualisht administrator i OSHEE.
Nga ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë. Ferit Hoxha, diplomat karriere, ish-ambasadori ynë në OKB dhe aktualisht kreu i misionit tonë në BE, do të jetë ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin. Besfort Llamallari, aktualisht ministër i Drejtësisë, do të marrë postin e ministrit të Brendshëm, duke u rikthyer në këtë ministri ku ka shërbyer si zëvendësministër në qeverinë Rama 3.
Largohet nga drejtimi i Mbrojtjes Pirro Vëngu, duke u zëvendësuar nga Ermal Nufi, i cili ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në kabinetin e Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre. Erjona Ismaili, deputete e qarkut Vlorë, do të jetë ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndryshimet në Qeveri
Zv.kryeministër
Ikën Belinda Balluku
Vjen Albana Koçiu
Ministria e Jashtme
Ikën Elisa Spiropali
Vjen Ferit Hoxha
Ministri e Drejtësisë
Ikën Besfort Lamallari
Vjen Toni Gogu
Ministria e Brendshme
Ikën Albana Koçiu
Vjen Besfort Lamallari
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ikën Toni Gogu
Vjen Erjona Ismaili
Ministër i Infrastrukturës
Ikën Belinda Balluku
Vjen Enea Karakaçi
Ministër i Mbrojtjes
Ikën Pirro Vengu
Vjen Ermal Nufi





