Policia e Shkodrës dhe ajo e Velipojës kanë dhënë sot informacione për arrestimin e personave të përfshirë në sulmin e dhunshëm ndaj punonjësve të një kompanie sigurie që kujdesej për mjetet e firmës “Gener 2” që po ndërton resortin turistik në Rrjoll.
Nga përleshjet pati edhe një punonjës “Security” të dëmtuar, teksa dje u njoftuan 4 arrestime, 6 marrje nën procedim dhe 15 të kërkuar. Banorët kundërshtojnë ndërtimin, duke pretenduar se janë tokat e tyre dhe nuk u kompensuan nga kompania private që po ndërton.
Sot u njoftua për arrestimin e një tjetër personi, 51-vjeçar, të akuzuar për shkatërrim të pronës dhe plagosje të rëndë me dashje.
Sipas autoriteteve “shtetasi N. M. së bashku me persona të tjerë ka organizuar protestën në fshatin Rrjoll, ku banorët e zonës shprehen se po u merren banesat për të ndërtuar një resort turistik”.
Sipas njoftimit të policisë 51-vjeçari së bashku me të tjerë ka goditur punonjësit e kompanisë private të sigurisë dhe kanë shkatërruar makineri të firmës që kryen punimet.
Njoftimi i Policisë Shkodër:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë ndaluan shtetasin N. M., 51 vjeç, banues në fshatin Pulaj, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më datë 28.02.2026, në fshatin Rrjoll, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, banorë të zonës, kanë organizuar protestë për pengimin e punimeve që po kryhen nga një firmë ndërtimi.
Gjatë protestës, ata kanë goditur punonjësit e kompanisë së sigurisë private, njëri nga të cilët është dëmtuar rëndë, si dhe kanë shkatërruar makineri të firmës që po kryen punimet”.





